24/11/2025
7 VITET QË VENDOSËN THEMELET E AVANCIMIT KIRURGJIK NË KOSOVË DHE RAJON
Kemi kënaqësinë që përmes këtij video-prezantimi të shpalosim rrugëtimin, punën dhe arritjet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, një histori e freskët por e jashtëzakonshme e vizionit, përkushtimit dhe zhvillimit të kirurgjisë së Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Në vetëm 7 vite nga themelimi i tij më 17 dhjetor 2018, Kolegji është shndërruar në qendrën kryesore të edukimit kirurgjik, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit profesional. Mbi 1000 kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora janë bashkuar nën këtë ombrellë, duke krijuar komunitetin më të madh kirurgjik shqiptar ndonjëherë.
Kongreset tona klinike, me mijëra pjesëmarrës dhe qindra ligjërues nga mbarë bota, kanë vendosur standard të ri në edukimin mjekësor të rajonit. Programet edukative, kurset, trajnimet dhe simpoziumet kanë ofruar mijëra orë të edukimit cilësor, duke ngritur kapacitetet e gjeneratave të reja të kirurgëve.
Kosova Journal of Surgery dhe Buletini i Kolegjit janë bërë platforma të fuqishme të shkencës dhe historisë sonë profesionale, me dhjetëra publikime, intervista, analiza dhe punime shkencore që e vendosin Kosovën në hartën botërore të kirurgjisë akademike.
Të gjitha këto janë arritur me punën tonë të përbashkët, prej kur Kolegji i Kirurgëve të Kosovës u krijua nën drejtimin e Prof. Dr. Rifat Latifit dhe përkrahjen kyçe nga International Virtual e-Hospital Foundation (IVeH), fondacion nga SHBA e cila ka qenë shtylla kryesore për themelimin, ngritjen dhe zhvillimin e Kolegjit.
IVeH do të vazhdojë ta përkrahë K*K-në drejt arritjeve të reja, forcimit të kapaciteteve dhe transformimit të mëtejshëm të kirurgjisë kosovare.
Duke shikuar nga e ardhmja, Kolegji në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës po punojnë drejt ngritjes së Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës, projekt që do të krijojë një infrastrukturë moderne të nivelit ndërkombëtar për edukimin kirurgjik dhe mjekësor.
Ky është misioni ynë dhe kjo video është pasqyra e asaj që kemi arritur së bashku.