17/01/2026
PYETJE PER DIABETIN
MJEKIMI ME INSULINË
Pyetje : Cilët diabetikë duhet të trajtohen me insulinë?
Në rastin e diabetit Tip 1, (diabeti te fëmijet dhe të rrinjtë) organizmi nuk mund ta prodhojë vetë insulinën që i nevojitet. Për të jetuar, duhet marrë insulinë çdo ditë, me injeksione, gjatë gjithë jetës.
Në diabetin Tip 2 ( diabeti i te rriturve) organizmi prodhon vetë insulinën por nuk është në gjendje ta përdorë si duhet atë. Njerëzit me diabet Tip 2 mund të mbijetojë pa injeksione insuline, por injeksionet e insulinës ndihmojnë për ta mbajtur gliceminë (nivelin e sheqerit ne gjak) afër vlerave normale. Rreth 40 % e njerëzve me diabet Tip 2, për të arritur ekuilibër të kënaqshëm të diabetit, kanë nevojë për trajtim me insulinë.
Pyetje : Prej disa vjetësh trajtohem me tableta, muajt e fundit glicemia më qëndron vazhdimisht e lartë. Jam shumë e shqetësuar, mos duhet të filloj insulinë?
Shqetësimi juaj është pjesërisht i justifikuar.
Me njohjen më mirë të diabetit Tip 2, që karakterizohet me humbjen progresive të funksionit të qelizave prodhuese të insulinës, sot ka ndryshuar mendimi në lidhje me përdorimin e insulinës.
Më parë, madje në shumicën e rasteve dhe sot, insulina shihej si mundësia e fundit për trajtimin e diabetit dhe fillohej vetëm në ato raste kur medikamentet nga goja, me doza maksimale, e kishin të pamundur kontrollonin e diabetit dhe njerëzit me diabet kishin simptoma të shprehura (poliuri, polidipsi, rënie në peshë etj.).
Ky koncept sot ka ndryshuar, prandaj dhe njerëzit me diabet Tip 2 duhet të edukohen me faktin se në shumë raste mund të lindë nevoja për trajtim me insulinë, shumë shpejt mbas diagnozës.
Sidoqoftë, më parë duhet të siguroheni nëse dieta që ndiqni është korrekte. Pas kësaj, në kontakt me mjekun, mund të rritni dozën e mjekimit ose të ndërroni medikamentin që përdorni me një tjetër që ka mënyrë të ndryshme veprimi ose ta kombinoni me një tjetër. Kur këto masa dështojnë, është i nevojshëm fillimi i insulinës.
Fillimin e insulinës nuk duhet ta përjetoni si dramë, përkundrazi siç thamë. është krejt normale në ecurinë e zakonshme të diabetit. Në vendet e zhvilluara 40 % e njerëzve me diabet Tip 2 mjekohen me insulinë. Duhet të kini gjithashtu parasysh se sot ekzistojnë mënyra komode dhe pothuaj të padhembshme për aplikimin e saj.
Pyetje : Ka ndonjë kriter të saktë për fillimin e insulinës?
Më parë mjekimi me tableta vazhdohej edhe kur me gjithë mjekimin, hemoglobina e glukozuar lëkundej ndërmjet vlerave 9-11 %. Ky koncept sot ka ndryshuar, njerëzit me diabet inkurajohen ta mbajnë nivelin e hemoglobinës së glukozuar nën 7 %. Për arritjen e këtij objektivi është rritur së tepërmi numri i njerëzve me diabet Tip 2 që trajtohen me insulinë, madje edhe kur nuk kanë simptoma që lidhen me hipergliceminë. Shumë njerëz me diabet kalojnë në trajtim me insulinë kur niveli i hemoglobinës është rreth 8 %, edhe kur ende vazhdojnë të kenë një farë prodhimi të insulinës nga pankreasi. Në këtë rast, shpesh është i panevojshëm trajtimi si në rastin e diabetit Tip 1 me shumë injeksione të insulinës, ku kombinohet insulina me veprim të shpejtë me atë me veprim të zgjatur. Zakonisht përdoret trajtimi me insulinë me veprim të ndërmjetshëm ose të zgjatur në darkë para gjumit, ndërsa gjatë ditës vazhdohet me tableta.
Pyetje : Pse disa kalojnë më shpejt në trajtim me insulinë, disa më vonë dhe të tjerë nuk kalojnë fare?
Në diabetin Tip 2 shkalla e rënies së funksionit të qelizave prodhuese të insulinës, ndryshon nga një person në tjetrin, por sidoqoftë është gjithmonë e pranishme.
Në përgjithësi, sa më i ri në moshë të jetë personi, aq më i shpejtë është shkatërrimi i qelizave prodhuese të insulinës dhe aq më e shpejtë nevoja për trajtim me insulinë. Po ashtu, te njerëzit me diabet që kanë peshë normale ose janë nën peshë, shkatërrimi i këtyre qelizave dhe fillimi i trajtimit me insulinë është më i shpejtë.
Koha mesatare nga momenti i diagnozës deri në nevojën për fillimin e insulinës është 7-10 vjet. Duke menduar se diabeti ka qenë prezent 5-10 vjet para diagnozës, indirekt nevoja për insulinë lind 12-20 vjet pas fillimit të diabetit.
Si thamë më sipër, në ditët e sotme, me uljen e vlerave target për kontrollin e glicemisë, kjo kohë duket se është shumë më e shkurtër.
Pyetje : Çfarë skeme trajtimi duhet përdorur në diabetin Tip 2? Kur kombinohet insulina me tableta?
Përdorimi i hershëm i insulinës, kur ju ende keni prodhim të insulinës nga pankreasi, lejon përdorimin insulinës para gjumit, për të frenuar prodhimin e glukozës nga mëlçia gjatë natës dhe kontrollin e glicemisë esëll.
Skema më e zakonshme që përdoret është: përdorimin gjatë ditës i metforminës ose sulfaniluresë dhe në darkë i insulinën me veprim 24 orë. Sipas kësaj skeme insulina vepron fuqishëm gjatë natës duke frenuar prodhimin e glukozës nga mëlçisë, ndërsa ka tendencë për rritje të glicemisë mbasdite vonë.
Kombinimi i insulinës me metforminë frenon në njëfarë mase shtimin në peshë, siguron kontroll më të mirë të glicemisë dhe përmirësim të nivelit të yndyrave në gjak.
Në rritje është përdorimi i kombinimit insulinë me veprim të zgjatur, glarginë, me sulfanilure dhe metforminë dy herë (mëngjes-darkë).
Praktikisht, sugjerohet kombinimi i tabletave me insulinë bazale vetëm kur glicemia esëll është nën 180-200 mg/dl, dhe vetëm kur disa vlera gjatë ditës kalojnë 270 mg/dl si edhe kur hemoglobina e glukozuar është nën 10 %.
Me kalimin e viteve, me shkatërrimin e mëtejshëm të qelizave beta të pankreasit, vlerat mesatare të glicemisë gjatë ditës rritet, sidomos pas ngrënies, duke lindur nevoja për përdorim të insulinës me më shumë injeksione.
Pyetje : Çfarë objektivash duhet të arrijë trajtimi me insulinë në diabetin Tip 2?
Qëllimi i trajtimit me insulinë është:
• Të sigurojë mirëqenie duke zhdukur simptomat e hiperglicemisë dhe përmirësuar gjendjen e përgjithshme;
• Të shmangë hipogliceminë, simptomatike ose biokimike, dhe ankthin rreth saj;
• Të sigurojë kontroll optimal të glicemisë.