02/11/2023
Radiografia panoramike 2 D
Radiografia panoramike, është një ekzaminim dentar dy-dimensional (2-D) që kap të gjithë kavitetin e gojës në një imazh të vetëm, duke përfshirë dhëmbët, nofullat e sipërme dhe të poshtme, artikulacionet temporo-mandibulare, strukturat dhe indet rrethuese. Nofulla është një strukturë e lakuar e ngjashme me atë të një patkoi. Megjithatë, grafia panoramike krijon një imazh të sheshtë të strukturës së lakuar. Radiografia është një test mjekësor jo-invasiv që ndihmon mjekët të diagnostikojnë dhe trajtojnë patologji mjekësore. Imazhi përfshin ekspozimin e një pjese të trupit në një dozë të vogël të rrezatimit jonizues për të prodhuar imazhe të strukturave te brendshme të kavitetit oral. Ndryshe nga një grafi tradicionale intra-orale ku detektori (filmi) vendoset brenda në gojë, në grafinë panoramike filmi gjendet brenda aparaturës. .
Një grafi panoramike gjithashtu mund të zbulojë probleme dentare dhe mjekësore të tilla si:
– sëmundje periodontale të avancuar
– cistet në kockat e nofullave
– tumoret e nofullës dhe kancerin oral
– dhëmballët e pjekurisë
– çrregullime të nofullës ( të njohur edhe si çrregullime të artikulacioneve Temporo-mandibulare )
– infeksionet e sinuseve
Pas ekzaminimit nuk ka mbetje rrezatimi në trupin e pacientit. Rrezet-X zakonisht nuk kanë efekte anësore në diapazonin standart diagnostik. Rrezet-X panoramike mund të përdoren për fëmijët shumë të vegjël meqenëse filmi nuk ka nevojë të vendoset brenda gojës. Femrat duhet të informojnë gjithmonë dentistin ose teknikun imazherist nqs ato janë shtatzënë.