30/03/2026
Konferenca Kombëtare “Siguria dhe Shëndeti në Punë nën Lupën e BE-së” mblodhi mbi 160 pjesëmarrës nga institucionet, biznesi dhe ekspertët e fushës për të diskutuar një nga temat më të rëndësishme për çdo organizatë: sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Në qendër të diskutimit ishte një pyetje thelbësore:
A është mjeku i punës thjesht një formalitet, apo një vlerë reale për organizatat?
Konferenca u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve kyçe, përfshirë Zëvendësministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, si dhe ekspertë nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, institucione që luajnë një rol të rëndësishëm në monitorimin dhe zbatimin e legjislacionit.
Organizatorja e kësaj konference Dr.Shk.Arjana Sina, Drejtoreshë Mjekësore e Wellness Albania Clinic, solli në vëmendje rëndësinë dhe nevojën e zhvillimit të mjekësisë së punës në tregun shqiptar.
I pranishëm ishte gjithashtu Prof. Dr. Ilir Alimehmeti, Shef i Shërbimit të Sëmundjeve Profesionale dhe Mjekësisë së Familjes, i cili foli për rëndësinë e mjekësisë së punës, zbatimin e saj në praktikë, si dhe për sfidat akademike në trajtimin dhe specializimin e mjekëve të kësaj fushe.
Përmes dy paneleve diskutimi dhe një workshop-i praktik, u trajtuan tema si:
• Kuadri ligjor dhe detyrimet reale për bizneset
• Sfidat konkrete të zbatimit në Shqipëri
• Raste praktike nga bizneset
• Rekomandime të zbatueshme menjëherë
Mesazhi kryesor i konferencës ishte i qartë:
“Një mjek pune formal mbron dokumentin. Një mjek pune real mbron njerëzit.”
Faleminderit të gjithë panelistëve, pjesëmarrësve dhe partnerëve për kontributin në këtë diskutim kaq të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe shëndetit në punë në Shqipëri.