07/03/2026
Alarm tek moshat e reja: Pse po rriten rastet e kancerit kolorektal? Çfarë roli mund të luajnë bakteret e zorrëve?
Rastet e kancerit kolorektal tek moshat e reja janë në rritje në vitet e fundit. Mjekja onkologe Kleida Mati, pranë Spitali Amerikan 3, shpjegon se që nga vitet ’90 është vënë re një rritje e qëndrueshme e rasteve të reja tek pacientët nën moshën 50 vjeç.
Doktoresha sqaron se një pjesë e këtyre rasteve lidhen me faktorë gjenetikë dhe histori familjare të sëmundjes. Personat që kanë të afërm me tumore kolorektale janë më të predispozuar që ta zhvillojnë këtë sëmundje në një moshë më të re.
Megjithatë, shton ajo, pjesa më e madhe e rasteve shpjegohet me ndryshimet në stilin e jetesës. Jeta sedentare, qëndrimi për orë të gjata ulur, mungesa e aktivitetit fizik, si dhe mbipesha dhe obeziteti konsiderohen faktorë të rëndësishëm rreziku.
Një rol të rëndësishëm luan edhe ushqyerja, nënvizon doktoresha. Konsumi i ushqimeve të përpunuara dhe ultra të përpunuara, si produktet e mish*t të përpunuar, fast food-et, patatinat apo produktet e paketuara, mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e tumoreve kolorektale si dhe rekomandohet kufizimi i mish*t të kuq dhe rritja e konsumit të frutave, perimeve dhe fibrave në dietën e përditshme.
Dr. Kleida Mati thekson gjithashtu se studimet e fundit po analizojnë edhe rolin e disa baktereve të zorrëve, si Escherichia coli, disa shtame të të cilit mund të prodhojnë toksina që dëmtojnë ADN-në dhe mund të favorizojnë zhvillimin e tumoreve kolorektale.
Mjekja onkologe vendos theksin që simptomat të mos neglizhohen dhe pacientët të kryejnë kontrolle të rregullta. Ekzaminime si Kolonoskopia mund të ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes, madje edhe përpara shfaqjes së simptomave.
Për më shumë informacion ose rezervim kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!