17/03/2022
Fantazia e ‘Anime’: Një realitet për adoleshentët
Adoleshenca është një periudhë kritike dhe intensive kur bëhet fjalë për përjetimin e emocioneve, gjetjen e mënyrave të menaxhimit të tyre, duke u përpjekur të njohim dhe të gjejmë veten në të njëjtën kohë. Ështe si të kemi katër vatra zjarri dhe ushqimi që po gatuhet është në prag të djegjes. Adoleshenti nuk është vetëm një kontrukt social për të bërë më të thjeshtë injorimin e luhatjeve dhe shpërthimeve emocionale apo rebelimit të papritur.
Truri një adoleshenti funksionon ndryshe nga ai i një të rrituri. Adoleshenti, po njësoj si një i rritur, mund të kryejë të gjitha detyrat e një të rrituri, por kërkon më shumë energji. Kur një i rritur duhet të reflektojë mbi marrjen e një vendimi të rrezikshëm, atij i aktivizohet korteksi prefrontal. Nga ana tjetër adoleshentët e kërkojnë rrezikun. Ata i shikojnë dhe i njohin rreziqet dhe pasojat, por truri i tyre kërkon eksperiencën e re, duke mënjanuar kështu kujdesin dhe të menduarin para marrjes së një vendimi.
Adoleshenti ndërkohë, ka një jetë sociale shume më komplekse se një i rritur. Refuzimi social ndikon trurin e një adoleshenti shumë me shumë se sa trurin e një të rrituri. Kjo çon në një nevojë për t’u përshtatur me shoqërinë, duke mos u përpjekur në njohjen e vetes. Konfuzioni i adoleshentit i kombinuar me një nivel të lartë empatie që ata i karakterizon, sjell një nevojë për të kuptuar personin tjetër deri në pikën që shndërrohen në personin tjetër. Kjo sjell që ata të përjetojnë emocionet pozitive dhe negative në nivele më ekstreme se normalja. Luhatjet emocionale, gjendja e alarmit dhe pasiguria mbizotërojnë në përditshmëri, dhe shtyn adoleshetin të kërkojë me ngulm një arratisje nga grumbulli i madh i emocioneve të reja dhe nga konfuzioni i pyetjes ‘Kush jam une?’.
Një ndër arratisjet më në ‘modë’ që adoleshentët kanë gjetur strehim është ndjekja e serialeve japoneze ‘anime’, të cilat kanë një dramë të mbushur me faktorë imagjinarë, të pavërtetë dhe të hiperbolizuar. Anime qëndron si një shkurtim i ‘animation’, i cili është karateristikë e kulturës japoneze. në fillimet e tyre, u janë adresuar publikut të rritur dhe adoleshent, e më pas edhe fëmijëve.
Pse anime-t janë kaq tërheqëse për adoleshentin, saqë ai të gjejë strehim aty?
Duke marrë parasysh çfarë përmendëm më lart, empatia e lartë e adoleshentit e lejon atë të lidhet shumë shpejt me karakteret. Shumë shpejt adoleshenti e gjen veten të ngjashëm dhe një personazh të caktuar dhe fillon adapton sjellje të reja të dala direkt nga seriali.
Por, në seritë anime, asgjë nuk zhvillohet brenda normave që konsiderohen në shoqërinë tonë normale. Çdo skenë shkon në ekstreme, personazhet pësojnë luhatje të mëdha dhe ngjyrat e dritat e skenës po ashtu. Heroi në anime nuk është thjesht një hero. Është një hero që me një grusht shpërbën një planet. Viktima në seritë anime, nuk është thjesht një viktimë, por një karakter ku i vishen të gjitha pasiguritë, ‘të metat’, gabimet. Stili i serive anime është fiktiv, ku mbizotërojnë elementët vizualë. Kjo gjë përputhet plotësisht me kurbën e emocioneve që një adoleshent përjeton. Adoleshenti tashmë është i fiksuar pas një seriali që ndjen se e kupton plotësisht.
Adoleshenti e ka më të vështirë të kuptojë ironinë, në krahasim me të rriturin. Por tek anime, kuptimi dhe njohja e ironisë apo e emocioneve të kombinuara, të cilat kërkojnë më shumë energji për t’u procesuar, bëhen më të lehtë. Vizatimi i personazheve me sy të mëdhenj, e bën më të thjeshtë njohjen e emocioneve që po përjetojnë. Gjithashtu reagimet me të bërtitura, të qara dhe sjellje të tjera të ekzagjeruara lehtëson këtë proces për adoleshentin, duke i kursyer energjinë dhe duke i krijuar ndjenjën e sigurisë tek seriali që po ndjek.
Ndonëse seritë ‘anime’ nxisin imagjinatën, lejojnë adoleshentin të eksplorojë skutat e imagjinatës dhe fantazisë, duke ju dhënë atyre elementët e nevojshëm fantastikë dhe duke përmbushur sensin e heroit, që në këtë moshë, është e nevojshme dhe shumë e kërkuar. Por çfarë ndodh, kur një seri anime është shumë e errët, e mbushur me element vrasje, vetëvarjes, dëmtime, e faktorë të tjerë të cilat, nëse adoleshenti ekspozohet ndaj tyre, gjasat që të ndikohet dhe të pësojë ndryshime në sjeljen e përditshme?
Siç e shpjeguam më lart, adoleshenti lidhet me personazhet e serive anime, për shumë arsye. Çfarë ndodh kur ky personazh është i trishtuar, depresiv ose vdes? Adoleshenti ndjen nevojën për të modeluar personazhin me të cilin ai ndihet sikur ka më shumë ngjashmëri. Kështu që kur ky personazh kalon nëpër turbullirat që sjellin emocionet negative, adoleshenti i përjeton si të vetat. Mënyra si personazhi reagon mund të jenë një ndikues i fortë në mënyrën se si adoleshenti sillet me veten. Dhe kur personazhi vdes, adoleshenti e përjeton si humbje reale.
Rezultati nuk është asnjëherë pozitiv. Truri i adoleshentit është në një zhvillim të shpejtë dhe njohja e vetes sapo ka filluar, duke e vendosur në një gjendje kaosi emocional dhe psikologjik duke mos gjetur një rrugëdalje. Dhe kështu, kaq kollaj, nga një arratisje, seritë anime, bëhen një tjetër gjë shtesë nga e cila adoleshenti ka nevojë të arratiset.
Depresioni dhe ankthi që një adoleshent përjeton gjatë shikimi apo leximit të serive anime nuk përfundon me përfundimin e serialit. Vazhdon deri në pikën që mund të bëhet pjesë e jetës së tyre dhe gjendja e tyre vulnerabël ku ata nuk kanë kontroll mbi emocionet e tyre, i bën ata të mendojnë se mënyra e vetme për t’u përballur me realitetin është nëpërmjet përjetimit të këtyre gjendjeve të depresionit dhe ankthit.
Çfarë mund të bëhet?
- Është e rëndësishme të kontrollohet materiali të cilin adoleshenti shikon apo lexon. Anime-t për të rritur nuk kanë një kufi të qartë me atë të adoleshentëve, pasi shumë tematika shikohen si të përshtatshme për të dyja kategoritë. Kjo ndoshta është e vërtetë, por mënyra se si trajtohet dhe energjia që merr është e ndryshme.
- Komunikimi me adoleshentin mbi anime-t që ata shikojnë apo lexojnë. Kjo bëhet për të ndërtuar një marrëdhënie me adoleshentin, për të kuptuar se çfarë drame përmban një anime e caktuar dhe se si po e ndikon adoleshentin në sjelljen e përditshme.
- Terapi – nëse ndjenjat e depresionit dhe ankthit ndërhyrjnë në funksionimin e përditshëm të një adoleshenti, është e këshillueshme caktimi i seancave me një terapist, i cili mund të punojë me adoleshentin duke kuptuar se nga burojnë këto ndjenja dhe ndikimin që anime-t kanë në mënrën se si ai ndihet dhe sillet.
Nga Paola Zefi
Psikologe Klinike