24/12/2025
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të vitit 2025, një vit i mbushur me punë dhe suksese të shumta. Në këtë fundviti, dua të shpreh një falënderim të veçantë për:
• Qeverinë e Republikës së Kosovës,
• Këshillin Kombëtar Shqiptar, i cili gjithmonë ka qenë i hapur për bashkëpunim,
• Fondin Humanitar për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc,
• Familjarët e mi (donatorë),
• Dhe të gjithë donatorët që, edhe pse disa preferuan të mbeten anonimë, kontribuan në punën tonë.
Gjatë këtij viti, në qendrën tonë kanë marrë terapi për shtatë muaj mbi 20 fëmijë me nevoja të veçanta, falë mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Shumë familje u ndihmuan financiarisht, disa me ushqime dhe barna. Përmes donatorëve u sigurua edhe veshmbathje për festën e Bajramit, për të gjithë fëmijët e shoqatës – një gëzim i paharruar për ta. U siguruan gjithashtu disa karroca për persona me aftësi të kufizuara dhe shumë gjëra të tjera të domosdoshme.
Përmbyllim këtë vit me një falënderim të sinqertë:
Në emër të të gjithë prindërve përfitues dhe të shoqatës “Qendra për Bashkëpunim” – Bujanoc, si dhe në emër të stafit tonë, do t’ju jemi mirënjohës gjithë jetën për kontributin tuaj në shoqatën tonë.
Kjo kategori e fëmijëve ka nevojë për ne, ka nevojë që t’u sigurojmë kushte edhe më të mira se ato që kanë pasur. Ata duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me ne – sepse nuk dallojnë nga ne, dhe në shumë raste janë më inteligjentë se ne.
Shpresojmë që viti 2026 të sjellë më shumë gëzime, përkushtim dhe kushte më të mira ku këta fëmijë të zhvillojnë aktivitetet e tyre plotësisht.
Fillimisht lus Allahun që të më japë shëndet dhe forcë, dhe mbi të gjitha durim, që të jem gjithmonë i gatshëm t’u dal në ndihmë sa mundem – për vajzën time dhe për të gjithë fëmijët sikurse ajo.