18/02/2026
Të nderuar qytetar, në prag të muajit të bekuar të Ramazanit, shëndeti juaj mbetet prioriteti ynë. Për të pasur energji dhe mirëqenie gjatë ditëve të agjërimit, mjekët tanë rekomandojnë:
🔹 1. Mos e anashkaloni Syfyrin
Ky është "karburanti" për ditën tuaj. Zgjidhni ushqime me fibra (drithëra, perime) dhe proteina (vezë, kos) që treten ngadalë dhe ju mbajnë të ngopur më gjatë.
🔹 2. Hidratimi është çelësi
Nga Iftari deri në Syfyr, pini ujë rregullisht (jo sasi të mëdha menjëherë). Shmangni pijet me shumë sheqer apo kafeinë, pasi ato nxisin dehidratimin.
🔹 3. Kujdes me Iftarin
Filloni lehtë me ujë dhe hurma. Mos e mbingarkoni stomakun menjëherë me ushqime të yndyrshme apo të skuqura. Jepini kohë trupit të përshtatet.
🔹 4. Reduktoni Kripën
Ushqimet e kripura do t'ju shtojnë etjen gjatë ditës. Përdorni erëza natyrale për shije në vend të kripës së tepërt.
👨⚕️ Kujdes: Nëse vuani nga sëmundje kronike (diabet, hipertension, sëmundje zemre), ju lutemi konsultohuni me mjekun tuaj për rregullimin e terapisë para se të agjëroni.
Stafi i International Hospital ju uron agjërim të lehtë dhe të pranuar!