Dr. Shaban A. Mecinaj

Dr. Shaban A. Mecinaj Dr. Shaban A. Mecinaj mr. sci
Psikiatër

ROLI I MEDIEVE  DHE RRJETEVE SOCIALE NË ZHVILLIMIN E AFTËSIVE PSIKOLOGJIKE TEK  FËMIJËTDr. Shaban A. Mecinaj, mr. sciPsi...
02/03/2025

ROLI I MEDIEVE DHE RRJETEVE SOCIALE NË ZHVILLIMIN E AFTËSIVE PSIKOLOGJIKE TEK FËMIJËT

Dr. Shaban A. Mecinaj, mr. sci
Psikiatër
Në epokën e sotme dixhitale, rrjetet sociale janë bërë pjesë e jetës së përditshme, duke përfshirë jetën e fëmijëve dhe adoleshentëve. Derisa media sociale ofron një mundësi për të lidhur dhe ndarë informacion, ndikimi i saj në trurin e fëmijëve dhe zhvillimin psikologjik mund të jetë ndjeshëm i dëmshëm. Rrjetet sociale ndikojnë në zhvillimin e trurit të fëmijës, por edhe në dëmet potenciale si dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e tepërt të tyre.

- Zhvillimi i trurit të fëmijëve dhe ndikimi i rrjeteve sociale
Truri i një fëmije kalon nëpër faza kritike të zhvillimit që janë vendimtare për formimin e aftësive emocionale, njohëse dhe sociale. Gjatë adoleshencës, truri ndryshon me një ritëm të shpejtë, veçanërisht zonën e korteksit paraballor, i cili është përgjegjës për marrjen e vendimeve, vetëkontrollin dhe sjelljen sociale. Përdorimi i rrjeteve sociale mund të ndikojë negativisht në këto procese.
Një nga karakteristikat kryesore të rrjeteve sociale është stimulimi i vazhdueshëm, i cili nxitë prodhimin e dopaminës – një neurotransmetues i lidhur me ndjenjën e kënaqësisë. Saherë që një fëmijë merr një "like" ose koment në një rrjet social, ka një rritje të papritur të dopaminës. Një ndjenjë e tillë shpërblimi mund të çojë në formimin e varësisë, të ngjashme me atë të konsumit të alkoolit ose drogës. Truri mësohet me kënaqësi të shpejtë dhe mëson të kërkojë gjithnjë e më shumë stimulim, gjë që mund të zvogëlojë aftësinë për të vonuar shpërblimet dhe për t'u përqendruar.

- Dëmet e rrjeteve sociale për fëmijët
1. Ndikimi në zhvillimin emocional: fëmijët që përdorin mediat sociale në mënyrë të tepruar mund të zhvillojnë çrregullime të disponimit (humorit), të tilla si ankthi dhe depresioni. Krahasimet e vazhdueshme me përdoruesit e tjerë mund të krijojnë vetëvlerësim të ulët dhe ndjenjën e pamjaftueshmërisë. Fëmijët shpesh shohin përshkrime të idealizuara të jetës së bashkëmoshatarëve të tyre, të cilat mund të krijojnë presion dhe të çojnë në ndjenja “se mos nuk janë mjaft të mirë”.
2. Çrregullimet e vëmendjes dhe përqendrimit: ekspozimi i vazhdueshëm ndaj informacioneve të shkurtëra, njoftimeve dhe videove mund të ndikojë negativisht në aftësinë për t'u përqendruar. Truri përshtatet me ndryshimin e përmbajtjes shpejt, duke e bërë të vështirë mbajtjen e fokusit në një detyrë për periudha të gjata kohore. Kjo mund të ndikojë negativisht në performancën e mësimeve në shkollë dhe në zhvillimin e mendimit kritik.
3. Çrregullimet e gjumit: përdorimi i mediave sociale para gjumit mund të çojë në çrregullime të gjumit. Drita blu e emetuar nga ekranet ndërhyn në prodhimin e melatoninës, një hormon përgjegjës për rregullimin e gjumit. Mos fjetja e mjaftueshme mund të ketë pasoja serioze në funksionin kognitiv të fëmijës, stabilitetin emocional dhe shëndetin e përgjithshëm.

- Rreziqet e rrjeteve sociale
1.Cyberbullying (bullizimi kibernetik): ku rrjetet sociale lejojnë anonimitetin dhe lidhjen e vazhdueshme, gjë që rrit rrezikun për bullizim. Përmes kësaj fëmijët mund t'i nënshtrohen sulmeve verbale, kërcënimeve ose poshtërimit, të cilat mund të lënë pasoja psikologjike afatgjata.
2. Ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme: fëmijët mund të ekspozohen lehtësisht ndaj përmbajtjeve që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre, si video të dhunshme, komente të papërshtatshme ose përmbajtje seksuale. Kjo mund të ketë një ndikim serioz në zhvillimin psikologjik dhe sistemin e tyre të vlerave.
3. Humbja e privatësisë: fëmijët shpesh nuk janë në dijeni të rreziqeve të ndarjes së informacionit personal në rrjetet sociale. Ata mund të ndajnë informacione që mund t'i ekspozojnë ndaj rreziqeve, si vjedhja e identitetit ose kontakti me të panjohurit me qëllime të këqija.

- Si t'i mbrojmë fëmijët nga efektet e dëmshme të rrjeteve sociale?
Kufizimi i kohës së përdorimit: prindërit duhet të kufizojnë kohën që fëmijët mund të kalojnë në rrjetet sociale, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes. Rekomandohet që fëmijët nën moshën 14 vjeç të kenë qasje shumë të kufizuar ose aspak në rrjetet sociale.
Komunikimi i hapur: prindërit duhet të flasin me fëmijët e tyre për rreziqet e mediave sociale, t'i inkurajojnë të jenë të ndershëm dhe të shpjegojnë rëndësinë e privatësisë. Fëmijët duhet të dinë se mund të flasin me prindërit për çdo situatë në të cilën ndihen të parehatshëm.
Monitorimi i aktivitetit: është e dobishme të përdoren aplikacione që lejojnë kontrollin dhe monitorimin prindëror të aktiviteteve online të fëmijëve. Kjo nuk do të thotë të dëmtosh besimin, por të mbrosh fëmijët nga kërcënimet e mundshme.
Inkurajimi për aktivitete tjera: është e rëndësishme t'i inkurajojmë fëmijët të angazhohen në aktivitete fizike, hobi, lojëra në grup dhe për të kaluar kohë me miqtë në botën reale. Një sërë aktivitetesh ndihmojnë në zhvillimin e zakoneve të shëndetshme dhe reduktojnë varësinë ndaj rrjeteve sociale.
Rrjetet sociale mund të kenë pasoja të rënda në zhvillimin psikologjik dhe emocional të fëmijës. Masat radikale të tilla si ndalimi i aksesit ndaj të miturve mund të tingëllojnë të ashpra, por ato bëhen të kuptueshme kur shqyrtoni rreziqet e mundshme që këto platforma paraqesin për fëmijët. Prindërit, shkollat dhe shoqëria në tërësi duhet të punojnë së bashku për të zvogëluar ndikimin negativ të rrjeteve sociale, dhe për të siguruar një mjedis të sigurt për brezat e ardhshëm.

SI T’A DALLONI NËSE FËMIJA I JUAJ PO PËRDOR DROGË Dr. Shaban A. Mecinaj mr.sciPsikiatërKeni parasysh që  derisa jeni duk...
31/03/2024

SI T’A DALLONI NËSE FËMIJA I JUAJ PO PËRDOR DROGË

Dr. Shaban A. Mecinaj mr.sci
Psikiatër
Keni parasysh që derisa jeni duke u përballë me sjelljet e pazakonshme të fëmijës tuaj, jeni duke hulumtuar nëpër dhomën e tij për të gjetur prova ose po këmbëngulni që ai të bëjë një test droge, duhet ta dini se këto veprime tuaja si prind në fakt mund të shkaktojnë më shumë dëm sesa dobi. Prandaj para se të merrni këto masa drastike bazuar në paragjykime, dhe dëshironi të siguroheni që keni një arsye të fortë për të menduar se fëmija juaj ka një problem me drogën, është mirë të njihëni me disa nga shenjat dhe siptomat e hershme paralajmëruese:

- Ndryshimet e sjelljes
Derisa fëmijët bëjnë kalimin nga adoleshenca drejt moshës madhore, ata fillojnë të shfaqin disa ndryshime në sjellje. Shumë herë kjo është krejtësisht e natyrshme, por disa nga sjelljet e mëposhtme mund të sinjalizojnë nevojën për shqetësimin tuaj si prindër:
• Rritje e ndjeshme e debateve me vëllezërit e motrat.
• Shpërthime të përcjellura me zemërim.
• Zhdukje për orë të tëra apo edhe ditë.
• Kërkesa të vazhdueshme për para.
• Vozitje të pakujdesshme.
• Vjedhje.
• Shoqërime me grupe të reja miqësh.
• Ikje fshehurazi dhe shmangie e kontaktit me sy.
• Nuhatje e pandërprerë, nervozizëm ose sjellje e çrregullt.
• Ndryshime drastike në oreks.
• Mungesë e koordinimit, probleme me ekuilibrin.

- Ndryshimet e humorit - disponimit
Me ndryshimin e hormoneve, shumica e adoleshentëve përballen me një gamë të gjerë emocionesh të cilat ndonjëherë kanë veshtërsi t'i menaxhojnë. Megjithatë, kur shoqërohen me abuzimin e drogës ose alkoolit, këto ndryshime dallohen më shumë. Ndryshimet e humorit janë të pritshme dhe nuk janë gjithmonë shkak për shqetësim. Megjithatë, ju duhet t'i kushtoni vëmendje nëse ndryshimet e humorit janë ekstreme dhe ndodhin pa ndonjë arsye të njohur për ju.

- Ndryshimet në pamjen personale
Kur droga ka zënë vend, të varurit shpesh neglizhojnë pamjen e tyre personale dhe higjienën. Nëse fëmija juaj ka filluar të neglizhojë higjienën trupore, të mos bëjë gjëra themelore si; krehja e flokëve dhe larja e dhëmbëve, duhet të shikoni nga afër se çfarë po ndodh me të. Ai ose ajo mund të ketë sy të përgjakur, fytyrë të skuqur dhe të vishet jo në përputhje me situatën dhe stinën. Nga ana tjetër, nëse adoleshenti juaj fillon të përtypë çamçakëz, të përdorë shpëlarje goje dhe të mbajë shumë parfum ose llak për trupin, mund të jetë një përpjekje për të mbuluar erën e alkoolit ose marihuanës.

- Problemet në shkollë - mësime
Adoleshentët që përdorin drogë shpesh fillojnë të neglizhojnë vijimin e tyre në shkollë. Nga mësuesit ose drejtori mund të kuptoni se ka një rënie të ndjeshme në mësime dhe nota. Debatet me nxënësit e tjerë, konfrontimet fizike dhe braktisja e shkollës janë të gjitha shenja paralajmëruese se diçka po ndodhë!?

- Problemet lidhur me shëndetin
Përdorimi i drogës krijon një sërë problemesh shëndetësore si tek adoleshentët ashtu edhe tek të rriturit. Disa çështje që mund t’i njihni përfshijnë:
• Gjakosje të shpeshta nga hunda ose sy të skuqur.
• Rrjedhje nga hundët që nuk shkaktohet nga ftohja.
• Dhimbje koke, të vjellura, djersitje, dridhje etj.

- Veprime të fshehta dhe vjedhje
Të gjithë adoleshentët dëshirojnë privatësinë, por ka një vijë të hollë mes dëshirës për të qenë të pavarur dhe fshehtësisë së dyshimt. Nëse fëmija juaj merr telefonata të dyshimta, qëndron me dyer të mbyllura, refuzon t'ju tregojë se ku po shkon dhe çfarë po bën, të gjitha këto mund të tregojnë për një çështje mjaftë serioze.
Ju gjithashtu duhet të shikoni brenda shtëpisë tuaj për t'u siguruar që asgjë nuk mungon. Mungesa e të hollave, stolive apo gjërave tjera me vlerë mund të jetë indikacion se fëmiu i juaj është duke bërë shpenzime të panjohura për juve…

P.S. ky shkrim me informacione themelore që ndërlidhën me këtë problematikë, ju dedikohet interesimeve të shumta nga prindër të fëmijëve në moshën e adoleshencës kryesisht. Gjetja e një apo më shumë nga këto shenja tek fëmiu i juaj nuk dmth që domosdoshmërisht problemet janë të shkaktuara nga përdorimi i drogave.
Prandaj një konsultë me profesionist të fushës përkatëse do të ju ndihmoj për identifikimin dhe trajtimin e problemit.

10/02/2024

DISA NJOHURI RRETH KOKAINËS DHE VEPRIMIT TË SAJ
(aktualisht droga më e përhapur në vendin tonë)

Dr. Shaban A. Mecinaj mr.sci
Psikiatër
Kokaina bën pjesë në grupin e drogave psikostimuluese e cila ka gjetë një përdorim të gjerë në mbarë botën. Edhe në vendin tonë viteve të fundit përdorimi i sajë është në rritje, nga njerëz të grupmoshave, gjinive, profesioneve dhe shtresave të ndryshme. Kokaina është një drogë natyrale stimuluese shumë addictive, e prodhuar nga gjethet e bimës së kokaines që quhet Erythroxylon coca. Tregtarët e rrugës shpesh e përziejnë atë me substanca tjera si pluhur talk etj. Përzierja e kokainës me substancë inaktive bëhët për qëllim të rritjës së sasisë, dhe ka synim rritjen e fitimeve për dilerët.

Drogat me përmbajtje psikostimuluese prodhohen edhe ne mënyrë artificiale, kryesisht në formë tabletash. Këto quhen shpesh nga përdoruesit “droga të vikendit”, por qe më kohë krijojnë varesinë psikologjike dhe fizike. Për shkak se kanë efekt stimulus në SNQ dhe rritin vigjilencën dhe pagjumësinë, gabimisht krijohet percepsioni se vetvetiu i japin energji organizmit. Në fakt psikostimuluesit e shterrojnë energjinë e vet organizmit deri në masën ekstreme, kur mund të humbet nevoja për gjumë dhe pushim.
Përdoruesit e marrin kokainën përmes hundës, disa e tretin pluhurin duke e shëndërru në gjendje të lëngët dhe e injektojnë në gjak, poashtu mund të injektojnë një kombinim kokaine dhe heroine, të quajtur Speedball. Një tjetër metodë popullore e përdorimit është pirja e kokaines – Crack.
Sasi të mëdha kokaine mund të çojnë në sjellje të çuditshme, të paparashikueshme dhe të dhunshme deri në mbidozim. Efektet e kokainës shfaqen pothuajse menjëherë dhe zhduken brenda pak minutash deri në një orë. Sa kohë zgjasin efektet dhe sa intensive janë ato varen nga sasia dhe metoda e përdorimit. Injektimi ose pirja e kokainës prodhon një gjendje “high” më të shpejtë dhe më të fortë, por më të shkurtër se sa thithja e sajë. Gjendja “high” nga marrja përmes hundës mund të zgjasë 15 deri në 30 minuta.

Ndikimi i kokainës në SNQ (sistemin nervor qendror)
Kokaina rrit nivelet e neurotransmiterit - dopaminë në nivelet e trurit të cilat lidhen pastaj me kontrollin e asaj që quhet “rrugë shpërblyese”. Kjo paraqet varësinë fizike dhe psikologjike në të njëjten kohë.
Efektet afatshkurtra përfshijnë:
-Rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës.
-Ngushtimin e enëve të gjakut.
-Zgjerimin e bebëzave të syve.
-Rritjen e temperaturës së trupit dhe presionit të gjakut.
-Lumturi dhe energji ekstreme.
-Vigjilencë mendore të shtuar.
-Hipersensibilitet ndaj shikimit, tingullit dhe prekjes.
-Irritueshmëri.
-Paranoja - mosbesim ekstrem dhe i paarsyeshëm ndaj të tjerëve

Efektet afatgjata - komplikimet
Efektet afatgjata shëndetësore të kokainës varen nga sasia dhe mënyra e përdorimit:
-Nëse merret përmes hundës: kemi humbjen e nuhatjes, gjakderdhje nga hunda, dëmtim të pjesës kërcore të hundës, dhe probleme me gëlltitjen.
-Nëse merret në formë të duhanit: kemi kollë, astmë, shqetësim në frymëmarrje dhe rrezik më të lartë të infeksioneve si pneumonia etj.
-Nëse merret përmes gojës: kemi dëmtim të rëndë të zorrëve nga pakësimi i qarkullimit të gjakut.
-Nëse merret me rrugë venoze: kemi rrezik më të lartë për bartje të HIV, hepatitit C dhe sëmundjeve të tjera përmes gjakut, infeksione të lëkurës ose indeve të buta, si dhe tromboflebite.

Megjithatë, edhe njerëzit e përfshirë në përdorimin e kokainës pa gjilpërë e vënë veten në rrezik për HIV, sepse kokaina dëmton gjykimin, gjë që mund të çojë në sjellje seksuale të rrezikshme me partnerët e infektuar.
Përdoruesit me kohë marrin doza më të mëdha dhe më të shpeshta për të arritur të njëjtin nivel “të knaqësisë” dhe për t’a përballu ma mirë absinencën nga substanca.
Simptomat e vonshme të abstinencës nga kokaina mund të përfshijnë:
• depresionin
• lodhjen
• humbjen e oreksit
• problemet me gjumin, makthet
• Problemet në sferën e të menduarit dhe sjelljen agresive

Nëse kokaina merret në mënyrë të përsëritur dhe në doza gjithnjë e më të larta, mund të çojë në një gjendje të rritjes së irritueshmërisë, shqetësimit dhe paranojës.
Kjo mund të rezultojë në një periudhë të psikozës paranojake, në të cilën përdoruesi humbet kontaktin me realitetin dhe përjeton halucinacione auditive (dëgjimi).
Duke qenë se ka prirjen të ulë oreksin, shumë përdorues kronik mund të vuajnë nga kequshqyerja.

Mbidozimi me kokainë
Abuzimi me kokainë mund të çojë në mbidozë dhe efekte anësore serioze ose vdekjeprurëse, qoftë pas përdorimit të parë ose në çdo kohë pas kësaj. Nuk ka medikamente specifike që mund të përmbysin apo neutralizojnë për një kohë të shkurtë një mbidozë kokaine.
Përdorimi i kokainës ose mbidozimi mund të çojë në:
• Urgjenca akute kardiovaskulare ose cerebrovaskulare, si një ritëm i parregullt i zemrës, sulmi në zemër ose goditja në tru, të cilat mund të rezultojnë me vdekje të papritur.
• Simptoma tjera të përdorimit të kokainës ose mbidozimit përfshijnë; vështerësi në frymëmarrje, tension të lartë të gjakut, temperaturë të lartë të trupit, halucinacione dhe agjitacion ose ankth ekstrem.
• Përzierja e kokainës me një injeksion heroine mund të jetë një kombinim vdekjeprurës.

Trajtimi i varësisë nga kokaina?
Terapia fillimisht bazohet në farmakoterapi kryesisht, që dmth një trajtim intensiv detoksikues bazuar në Udhërrefyes Klinik të cilët mund t’i përshtaten individit të varur nga kokaina, në varësi nga shenjat dhe simptomat.
Të njëjtën kohë duhet të filloj trajtimi psikoterapeutik individual, kryesisht përmes terapisë së njohjes dhe sjelljës (CBT), pastaj psikoterapisë mbështetëse grupore dhe familjare.
Futja në trajtim duhet të merret në konsiderim vetëm atëherë kur vullneti e motivi i përdoruesit është i lartë dhe bashkëpunimi terapeutik është transparent e i plotë!

NË DITËN BOTËRORE KUNDËR ABUZIMIT DHE TRAFIKIMIT TË DROGAVE  Dr. Shaban A. Mecinaj mr. sciPsikiatër- Drogat janë substan...
26/06/2023

NË DITËN BOTËRORE KUNDËR ABUZIMIT DHE TRAFIKIMIT TË DROGAVE

Dr. Shaban A. Mecinaj mr. sci
Psikiatër
- Drogat janë substanca psikoaktive të cilat ndikojnë drejtëpërdrejtë në shumë fusha të funksinimit të individit, si; në sjellje, gjendjen afektive, kognitive, sociale etj. Duke e dëmtuar në këtë mënyrë rëndë strukturën e funksionimit të përsonalitetit.
- Më të përhapurat janë produktet e kanabisit si; ma*****na, vaji i kanabisit etj. Opioidet si; morfina, heroina, metadoni etj. Psikostimuluesit si; kokaina, amfetamina, metamfetamina, dhe drogat tjera.
- Drogat së bashku me prostitucionin dhe tregtinë e armëve përbëjnë “ekonominë” joformale më të përhapur e cila supozohet se i bën konkurencë serioze ekonomisë formale në nivel botëror.
- Në botë ekzistojnë rrjete të laboratorëve për prodhimin ilegal të drogave sintetike, dhe janë në luftë të vazhdueshme me organet e hetuesisë dhe ndjekjes si; europoli, interpoli etj.
- Përkundër faktit që janë ilegale, ato kanë një përdorim mjaft të gjerë, e rrjedhimisht edhe në vendin tonë. Në disa vende të botës sot përdorimi i drogave ka përmasa epidemike.
- Vlerësohet se në Kosovë janë nga 30 deri 40 mijë përdorues, prej tyre reth 10 mijë të varur, të cilët cilësohen si përdorues problematik, që mund të jenë bartës potencial të infeksioneve dhe sëmundjeve tjera.
- Përdoruesit intravenoz të drogave rrezikohen nga sëmundje të ndryshme infektive, si; Hepatiti ”B”, Hepatiti “C”, HIV/Aids, tromboflebite etj.
- Përdoruesit apo të varurit me kohë zhvillojnë edhe crregullime bashkërënduese të shëndetit mendor, si; crregullim të përsonalitetit, depression, episoda psikotike etj.
- Shumë krime dhe sjellje të dhunshme pikërisht janë pasojë e ndikimit të këtyre substancave. Prandaj sot shumë vrasje monstruoze dhe veprime tjera agresive psh brenda familjes janë të ndërlidhura me veprimin e drogave.
- Mënyra më e mirë e luftimit të tyre nga aspekti mjekësor është parandalimi, i cili duhet të jetë mirë i konceptuar dhe i koordinuar me shumë faktorë dhe institucione.
- Trajtimi nga varësia është një ndërmarrje mjaft komplekse terapeutike e cila kërkon qasje multidiciplinare dhe multisektoriale. Personat duhet të motivohen për të filluar trajtimin e varësisë ndaj substancës, në përputhje me njohuritë dhe udhërrëfyes standard.
- Stigma vazhdon t’i përcjellë këta persona shpesh nga mesi ku jetojnë dhe kjo paraqet rrethanë rënduese në kuptim të demotivimit për trajtim.
- Rehabilitimi merr kohë të gjatë dhe përfshinë disa faza të cilat duhet të sigurojnë resocializim dhe reintegrim të plotë në familje dhe shoqëri. Fenomeni i përdorimit të drogave do të jetë present sa edhe vet njerëzimi, ndërsa qëllimi i cdo shoqërie duhet të jetë minimizimi dëmëve anësore.
- Sa më shumë që të vetëdijësohet shoqëria dhe institucionet për këtë “kancer” të rinisë, dhe të krijoj politika funksionale parandaluese e trajtuese, aq më pak do të kemi arsye t’a shenojmë; DITËN BOTËRORE KUNDËR ABUZIMIT DHE TRAFIKIMIT TË DROGAVE.
… Sepse, një shoqëri pa droga dhe pa dukuri tjera negative duhet të jetë synimi i gjithë neve!

DISA NJOHURI RRETH SKIZOFRENISË(Me rastin e 24 Majit, Ditës Botërore të Skizofrenisë - ripostim)Dr. Shaban A. Mecinaj mr...
24/05/2023

DISA NJOHURI RRETH SKIZOFRENISË
(Me rastin e 24 Majit, Ditës Botërore të Skizofrenisë - ripostim)

Dr. Shaban A. Mecinaj mr. sci
Psikiatër
Skizofrenia është një çrregullim psikotik i cili ka rrjedhë kronike, e që karakterizohet me periudha të përmirësimit dhe përkeqësimit.

Sipas të dhënave mjekësore në nivel botëror, çrregullimet e spektrit skizofrenik afektojnë rreth 0.5-1% të popullatës së përgjithshme.
Shkaktarët kryesorë janë të natyrës biologjike-trashëguese, gjithashtu një rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorët psikologjik dhe social.

Manifestimet klinike janë të ndryshme dhe përfshijnë sferat e funksionimit kognitiv- njohës, afektiv dhe funksionimit të përgjithshëm social. Tek skizofrenitë deluzionet dhe halucinacionet përbëjnë pasqyrën më të shpeshtë, këto quhen simptoma pozitive, sikurse edhe ato afektive e të motivacionit, të cilat quhen simptoma negative.

Trajtimi dhe rehabilitimi është afatgjatë dhe kompleks. Duhet të përfshijë profesionist të fushave, si: psikiatër, psikolog, infermier dhe puntorë social.

Krahas terapisë së përhershme, qoftë përmes hospitalizimeve apo mënyrës ambulantore, edhe mbeshtetja e familjes është e rëndesisë së veçant. Për këtë psikoedukimi i familjes, është pjesë përbërëse e trajtimit të gjithëmbarshëm.

Duke qenë se shkakton invaliditet të përhershëm dhe të rëndë, shpeshëherë familja dhe shoqëria mund të tregojnë shenja të dobësisë dhe të lodhjës.
Poashtu stigma dhe diskriminimi vazhdojnë të jenë pjesë e mosnjohjes së problemit dhe shpërfaqin pjesë të kulturës dhe sjelljes në raport me sëmundjen dhe individin.

Me këtë rast, në shenjë respekti ndaj këtyre pacientëve dhe familjarëve të tyre, këtë postim po e përmbylli me fjalët e një pacienti me skizofreni, që më se miri e shprehë thelbin e këtij qendrimi:
"Kur shtrohemi në spital për këmbën e thyer, njerëzit na sjellin lule dhe na bëjnë vizita. Në qoftë se shtrohemi në spital psikiatrik, ata nuk na sjellin lule, vetëm na vizitojnë "...

DISA NJOHURI RRETH ÇRREGULLIMIT TË  PERSONALITETIT  KUFITAR –BORDERLINE PERSONALITY DISORDER (BPD)Dr. Shaban A. Mecinaj ...
16/03/2023

DISA NJOHURI RRETH ÇRREGULLIMIT TË PERSONALITETIT KUFITAR –
BORDERLINE PERSONALITY DISORDER (BPD)

Dr. Shaban A. Mecinaj mr. sci
Psikiatër
Çrregullimi i personalitetit kufitar karakterizohet nga përjetimi i dobët i vetes, nga ndjenja e zbrazëtisë dhe nga vështirësi e madhe për të përballuar vetminë. Bën pjesë në grupin e çrregullimeve të personalitetit emocional ose grupin “B”. Njerëzit me këtë çrregullim kanë humor shumë reaktiv dhe intensiv si dhe marrëdhënie të paqëndrueshme. Sjellja e tyre mund të jetë impulsive. Ata janë gjithashtu më të prirur për të tentuar ose për të kryer vetëvrasje. Ndonjëherë, pa pasur për qëllim të kryejnë vetëvrasje, ata dëmtojnë veten (p.sh. prerjen ose djegien e pjesëve të ndryshme të trupit, zakonisht gjymtyrëve) si një formë vetë-ndëshkimi ose për të luftuar një ndjenjë boshe.
Në situate stresuese njerëzit me çrregullim të personalitetit kufitar mund të zhvillojnë simptoma psikotike. Ata përjetojnë një shtrembërim të perceptimeve ose bindjeve të tyre në raport me realitetin e jashtëm. Sidomos në lidhje të ngushta, ata priren të keqinterpretojnë ose të amplifikojnë atë që të tjerët e ndiejnë për ta. Për shembull, ata mund të mendojnë se një mik ose pjesëtar i familjes po ushqen ndjenja tepër të urryera ndaj tyre, ne ndërkohë që personi mund të jetë vetëm pak i mërzitur ose i zemëruar.

Shkaqet
Shkaktarët e çrregullimit të personalitetit kufitar nuk janë mirë të njohur. Mendohet se faktorët biologjik, psikologjik dhe social, në bashkëveprim, luajnë rol në paraqitjen e këtij çrregullimi.
Ndërsa faktorët e rrezikut për BPD përfshijnë:
• Braktisja nga prindërit në fëmijëri ose në adoleshencë.
• Jeta në një familje disfunksionale.
• Komunikim i dobët në familje etj.

Shenjat dhe simptomat
Personat me BPD shpesh janë të pasigurt në lidhje me identitetin e tyre. Si rezultat, interesat dhe vlerat e tyre në raport me rrethin mund të ndryshojnë me shpejtësi. Gjithashtu, priren t'i shohin gjërat në dy ekstremet, si për shembull, të gjitha të mira ose të këqija. Këto ndjenja që ndryshojnë papritur shpesh çojnë në marrëdhënie të ashpra dhe të paqëndrueshme. Disa nga simptomat e tjera të BPD përfshijnë:
• Frikë të fortë se mos braktisën.
• Nuk mund të tolerojë të jenë vetëm.
• Ndjenja të shpeshta boshllëku dhe mërzie.
• Shfaqje të shpeshta zemërimi të papërshtatshëm.
• Impulsivitet, si abuzimi me substancat ose marrëdhëniet seksuale.
• Kriza të përsëritura dhe akte vetëdëmtimi, të tilla si prerja e kyçit të dorës ose mbidozime me medikamente ose substanca tjetra.

Komplikimet
Çrregullimi i personalitetit kufitar ndikon në mënyrën se si këta persona ndihen për veten, poashtu edhe me të tjetërt. Si ndërvprojnë në marrëdhëniet intime, punë, shkollë, aktivitete sociale dhe imazhin e vetvetes. Komplikimet më të shpeshta të BPD janë:
• Ndryshime ose humbje të përsëritura të vendit të punës.
• Ndërprerje të shkollimit.
• Probleme të shumta ligjore, të tilla si burgimi etj.
• Marrëdhënie të mbushura me konflikte, strese martesore ose divorce.
• Vetëdëmtime, si prerje ose djegie dhe shtrime të shpeshta në spital.
• Përfshirje në marrëdhënie abusive.
• Shtatzëni të paplanifikuara, infeksione seksualisht të transmetueshme, aksidente me automjete motorike dhe zënka fizike për shkak të sjelljes impulsive dhe të rrezikshme.
• Përpjekje për vetëvrasje ose vetëvrasje.
Përveç kësaj, mund të kanë edhe çrregullime të tjera të shëndetit mendor, si:
• Depresion.
• Abuzim me alkool ose me substanca tjera.
• Çrregullime ankthi.
• Çrregullime në të ngrënë.
• Çrregullime bipolare.
• Çrregullime të stresit post-traumatik (PTSD).
• Çrregullime të deficitit të vëmendjes/hiperaktivitetit (ADHD).

Trajtimi
Historikisht, çrregullimi i personalitetit kufitar është parë si një sfidë për t'u trajtuar. Është e rëndësishme që pacientët me çrregullim të personalitetit kufitar të marrin trajtim nga një profesionist i liçensuar i shëndetit mendor.
Psikoterapia
Psikoterapia, që ndonjëherë quhet «terapia e të folurit», është trajtimi i parë për njerëzit me çrregullim të personalitetit kufitar.
Dy llojet e psikoterapive të përdorura për të trajtuar çrregullimin kufitar të personalitetit janë:
• Terapia dialektike e sjelljes (DBT): Ky trajtim u zhvillua posaçërisht për individët me çrregullim të personalitetit kufitar. DBT përdor konceptet e mendjembueshmërisë ose të ndërgjegjësimit për gjendjen e tanishme dhe gjendjen emocionale. DBT gjithashtu mëson aftësitë për të ndihmuar njerëzit të kontrollojnë emocionet intensive, të zvogëlojnë sjelljet vetë-shkatërruese dhe të përmirësojnë marrëdhëniet me rrethin.
• Terapia e njohjes dhe e sjelljes (CBT): Ky trajtim mund të ndihmojë njerëzit të identifikojnë dhe të ndryshojnë besimet dhe sjelljet thelbësore që vijnë nga perceptimet e pasakta të vetes dhe të tjerëve, dhe problemet që ndërveprojnë me të tjerët. Mund t'i ndihmojë njerëzit të pakësojnë luhatjet e humorit dhe simptomat e ankthit dhe mund të zvogëlojë numrin e sjelljeve vetë-dëmtuese ose vetëvrasëse.
Trajtimi medikamentoz
Medikamentet nuk përdoren zakonisht si mënyra kryesore për të trajtuar sëmundjen. Megjithatë, në disa raste një psikiatër mund të rekomandojë medikamente për të trajtuar simptoma specifike ose çrregullime mendore bashkërënduese, të tilla si luhatjet e humorit etj. Trajtimi medikamentoz kërkon kujdes të koordinuar nga më shumë se një mjek profesionist.

DISA NJOHURI RRETH  VARËSISË NDAJ  LOJËRAVE TË FATIT - BIXHOZIT (KUMARLLËKUT)Dr. Shaban A. Mecinaj mr.sciPsikiatërVarësi...
19/01/2023

DISA NJOHURI RRETH VARËSISË NDAJ LOJËRAVE TË FATIT - BIXHOZIT (KUMARLLËKUT)

Dr. Shaban A. Mecinaj mr.sci
Psikiatër
Varësia nga bixhozi, e njohur edhe si bixhozi kompulsiv ose ludopatia, është një çrregullim varësie që i referohet nxitjes kompulsive për të luajtur bixhoz. Bixhozi është kur diçka me vlerë rrezikohet me shpresën për të fituar diçka me vlerë më të madhe. Kjo shpesh përfshinë paranë si valutë, por mund të përfshijë edhe të mira tjera materiale ose prona. Varësia ndaj bixhozit ëshë përcaktuar si crregullim mendor edhe zyrtarisht në Klasifikimin Ndërkombëtar të Sëmundjeve – ICD - 10 dhe në Manualin Diagnostik dhe Statistikor - DSM-V.

- Format e zakonshme të bixhozit përfshijnë:
• Lojra lotarie si; LOTTO 6/49 ose LOTTO MAX.
• Lojëra të çastit si letra gërvishtjeje.
• Lojërat Bingo në formë të biletave.
• Baste sportive.
• Lojëra me zare.
• Lojëra kazinoje si; slot machines dhe lojëra tavoline.
• Lojëra me letra etj.

- Industria e bixhozit dhe krijimi i varësisë?
Sjellja e bixhozit dhe varësia shpesh janë mundësuar dhe përjetësuar nga vetë industria e bixhozit. Për shembull, reklamat e bixhozit përdoren si një mjet për të tërhequr bixhozçinj të rinj dhe të qëndrueshëm në një gamë të gjerë platformash si; marketingu online, media sociale, televizioni, reklamat e gazetave, tabelat e reklamave dhe sponsorizimi. Si pasojë, shikuesi i reklamave mund të inkurajohet për t'u angazhuar në bixhozin online me një klikim të disa butonave. Përveç kësaj, faqet e bixhozit online e bëjnë shumë të lehtë regjistrimin dhe depozitimin e fondeve, ndërsa e bën shumë më të vështirë tërheqjen e fitimeve. Kazinotë shpesh u japin mundësi bixhozçinjve të nxiten e të shpërqendrohen më tepër, si për shembull, krijimi i një atmosferë joshëse, muzikë me zë të lartë dhe ambiente të errësuara.

- Bixhozi krijon varësi sikur droga?
Varësia ndaj bixhozit mund të veprojë në mënyrë shumë të ngjashme me varësinë ndaj drogës. Në të dyja rastet, rruga e shpërblimit në tru mund të stimulohet, duke krijuar një ndjenjë kënaqësie. Në mënyrë më specifike, stimulimi i këtij shtegu (rruge) shpërblimi shkakton lirimin e një lajmëtari kimik të quajtur dopamina, i cili çon në një ndjenjë euforike. Llojet e bixhozit që mundësojnë lojë të lehtë dhe të shpejtë, në veçanti me bastet me shanse fikse, mund të jenë gjithashtu addictive (varësuese).
Krijimi i perceptimit se individi ndodhet 'afër fitorës', e të cilat në fakt janë humbje të maskuara si një fitore, gjithashtu emocionojnë rrugën e shpërblimit në tru. Së fundi, bixhozçijtë mund të krijojnë një tolerancë, duke i bërë neuronet e trurit të përshtaten dhe të prodhojnë më pak dopaminën në përgjigje të kësaj sjelljeje. Megjithatë, është e rëndësishme me e ditë se jo të gjithë individët që luajnë bixhoz do të zhvillojnë varësi ndaj bixhozit.

- Faktorët e rrezikut për varësinë ndaj bixhozit?
Disa faktorë mund të rritin rrezikun e varësisë nga bixhozi, duke përfshirë faktorët biologjikë, gjenetikë dhe mjedisorë. Disa karakteristika të personalitetit, si konkurrueshmëria, impulsiviteti dhe ankthi mund të ndikojnë edhe në rritjen e rrezikut të varësisë ndaj bixhozit. Edhe individët me një pjesëtar të familjes që ka një problem me bixhozin, ka më shumë të ngjarë të përfshihen në një sjellje të tillë. Për më tepër, bixhozi mund të shoqërohet me disa çrregullime të shëndetit mendor, si abuzimi me substancat, depresioni, ankthi dhe çrregullimet e personalitetit.

- Shenjat e varësisë ndaj bixhozit?
Shenjat e varësisë nga bixhozi përfshijnë bixhozin e tepërt, preokupimin, gënjeshtrën dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës. Shpesh, varësia ndaj bixhozit përshkruhet si një varësi e heshtur. Një bixhozçi mund të përdorë bixhozin për të përballuar problemet ose streset personale. Në disa raste, individët mund të kenë më shumë gjasa të kryejnë krime të tilla, si vjedhja, në mënyrë tipike në përpjekje për të siguruar sa më shumë para për të luajtur bixhoz. Kur përpiqen të pakësojnë bixhozin, individët ndihen keq dhe mund të përjetojnë shenja tërheqjeje, si depresioni, pagjumësia, ankthi dhe acarimi. Prandaj është e rëndësishme që familja dhe miqtë të jenë vigjilentë mbi këto shenja, nëse dyshohet se individi është i varur nga bixhozi.
- “Karriera e bixhozit" mund të ndahet në tri faza: fitimi, humbja dhe dëshpërimi.

Faza e fitimit
• bixhoz sporadik.
• fitore më të mëdha ose disa fitime më të vogla.
• emocione pozitive para dhe gjatë lojës.
• optimizëm jorealist.
• gjithnjë e më shumë lojëra.
• bixhoz për shuma më të mëdha parash.

Faza e humbjes
• humbje e shumave të mëdha të parave.
• tentim i mbulimit të humbjeve “me fitimet”.
• luajtja e shpeshtuar.
• te menduarit më shpesh për lojën.
• mbulimi i dështimeve dhe gënjeshtrat për humbjet e vërteta.
• lënia pas dore e familjes dhe e miqve.
• luajtja gjatë orarit të punës.
• huamarrja e parave nga kushdo.

Faza e dëshpërimit
• vonesa në shlyerjen e borxhit.
• ndryshime në strukturën e personalitetit: acarim, agjitim, çrregullime të gjumit.
• tërheqje e plotë nga jeta shoqërore.
• tërheqje e plotë nga familja dhe miqtë.
• humbja e gjendjes shoqërore dhe e reputacionit.
• përdorimi i mënyrave të paligjshme për të fituar para.
• ndihen të pashpresë, dhe në rrezik për vetëvrasje (ose përpjekje).

- Si diagnostikohet varësia nga bixhozi?
Varësia nga bixhozi mund të diagnostikohet nga një mjek ose një profesionist tjetër i shëndetit mendor duke vlerësuar zakonet e bixhozit, historinë mjekësore dhe gjendjen e shëndetit mendor të tij. Gjithashtu, një vlerësim psikiatrik duhet të kryhet për të vlerësuar gjendjen e shëndetit mendor dhe për të përcaktuar nëse ndonjë gjendje e ndryshuar e shëndetit të tij mendor mund të jetë duke kontribuar në bixhozin e tepërt.

- Si trajtohet varësia ndaj bixhozit?
Trajtimi për varësinë ndaj bixhozit fillon me individin që e pranon çrregullimin e tij. Kjo mund të jetë një nga pjesët më të vështira të trajtimit të bixhozit, pasi shpesh është shumë e vështirë për bixhozçinjt të pranojnë se kanë një problem. Në disa raste, medikamentet që trajtojnë çrregullimet mendore, si antidepresantët ose stabilizuesit e humorit, mund të ndihmojnë në pakësimin e sjelljeve të bixhozit. Trajtimi afatgjatë për të kapërcyer varësinë ndaj bixhozit shpesh përqendrohet në ndryshimet e sjelljes dhe mbështetjen psiko-terapeutike. Shpesh, terapia e sjelljes ose terapia kognitive dhe e sjelljes mund të jenë të dobishme. Terapia e sjelljes përdor ekspozimin sistematik ndaj sjelljeve të bixhozit në përpjekje për të pakësuar nxitjet. Terapia kognitive dhe e sjelljes fokusohet në zëvendësimin e sjelljeve dhe besimeve jo të shëndetshme me ato të shëndetshme dhe pozitive. Gjithashtu mund të jenë të dobishme edhe grupet ndihmëse, si Bixhozçinjët anonimë. Është e rëndësishme të dijmë se pavarësisht nga trajtimi, prapëseprapë mund të ekzistoj rreziku i përsëritjes së sjelljes në raport me bixhozin, sidomos nëse u ekspozohemi bixhozçinjve të tjerë ose mjediseve të bixhozit.

Address

Rr. Gazmend Zajmi, Prishtine
Pristina
10000

Opening Hours

Monday 14:30 - 16:30
Tuesday 14:30 - 16:30
Wednesday 14:30 - 16:30
Thursday 14:30 - 16:30
Friday 14:30 - 16:30

Telephone

+38344174041

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Dr. Shaban A. Mecinaj posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Practice

Send a message to Dr. Shaban A. Mecinaj:

Share

Share on Facebook Share on Twitter Share on LinkedIn
Share on Pinterest Share on Reddit Share via Email
Share on WhatsApp Share on Instagram Share on Telegram