26/02/2026
𝐓𝐚𝐤𝐢𝐦 𝐢 𝐩ë𝐫𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤ë𝐭 𝐢 𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐭 𝐭ë 𝐒𝐡ë𝐧𝐝𝐞𝐭ë𝐬𝐢𝐬ë, 𝐳. 𝐀𝐫𝐛𝐞𝐧 𝐕𝐢𝐭𝐢𝐚, 𝐝𝐡𝐞 𝐊𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢𝐭 𝐭ë 𝐎𝐅𝐊-𝐬ë, 𝐳. 𝐊𝐚𝐝𝐫𝐢 𝐁𝐲𝐭𝐲𝐪𝐢, 𝐦𝐞 𝐟𝐨𝐤𝐮𝐬 𝐧ë 𝐤𝐨𝐨𝐫𝐝𝐢𝐧𝐢𝐦 𝐝𝐡𝐞 𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤ë𝐩𝐮𝐧𝐢𝐦 𝐢𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐜𝐢𝐨𝐧𝐚𝐥
Gjatë ditës së sotme, Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), z. Kadri Bytyqi me zv. Kryetarët Jehona Hakaj dhe Astrit Haxhijaha, ka mirëpritur në zyrat e OFK-së Ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia, të cilin e uroi për mandatin e ri, duke i shprehur njëkohësisht gatishmërinë për bashkëpunim të plotë të OFK-së në hartimin dhe zhvillimin e politikave farmaceutike.
Në këtë takim të përbashkët, të dy krerët institucionalë u pajtuan për rëndësinë e një fryme bashkëpunuese dhe koordinimi të vazhdueshëm ndërinstitucional, në funksion të arritjes së qëllimeve të përbashkëta për avancimin e sistemit shëndetësor, e në veçanti të shërbimit farmaceutik përmes sigurimit të barnave cilësore, të sigurta dhe të qasshme për pacientët.
Ministri Vitia, në fjalën e tij, theksoi se komuniteti farmaceutik është hallkë thelbësore e sistemit shëndetësor dhe se farmacisti ka rol të pazëvendësueshëm jo vetëm në shpërndarjen e barnave, por edhe në orientimin profesional të pacientit dhe në rritjen e sigurisë së trajtimit. Ai nënvizoi se Ministria e Shëndetësisë është e vendosur të forcojë dialogun me organizatat profesionale, duke e parë OFK-në si partner të rëndësishëm në proceset reformuese dhe në adresimin e sfidave që lidhen me furnizimin, cilësinë dhe përdorimin racional të barnave.
Po ashtu, Ministri shprehu gatishmërinë për përkrahje të vazhdueshme të komunitetit farmaceutik, duke kërkuar që bashkëpunimi të jetë i strukturuar, i hapur dhe konstruktiv, me fokus në rezultate konkrete që reflektohen drejtpërdrejt te shërbimi ndaj qytetarit. Ai vlerësoi angazhimin e profesionistëve të fushës dhe ritheksoi se çdo hap që ndërmerret duhet të synojë rritjen e standardeve, transparencës dhe efikasitetit në shërbimet shëndetësore.
Nga ana e OFK-së, gjatë takimit u prezantua edhe Strategjia Nacionale e hartuar si rezultat i kërkesave dhe shqetësimeve të anëtarëve të saj lidhur me problemet aktuale në sektorin farmaceutik. Kjo strategji iu dorëzua Ministrit të Shëndetësisë si dokument orientues, me qëllim që të shërbejë si bazë për adresimin e sfidave ekzistuese dhe për planifikimin e reformave të nevojshme.
Ndërkaq, Kryetari Bytyqi paraqiti nevojën urgjente për ndryshime legjislative në disa procese që aktualisht po shihen si pengesë për avancimin e sistemit farmaceutik dhe për fuqizimin e rolit të anëtarëve të OFK-së. Me prioritet të veçantë, ai theksoi domosdoshmërinë e rishikimit dhe përmirësimit të kuadrit rregullativ, duke përfshirë: Udhëzimi administrativ nr. 01/2015 për autorizimin për marketing për produkte medicinale, Udhëzimi administrativ (Shëndetësi) nr. 01/2022 për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës, si dhe udhëzimin administrativ për barnatore. Po ashtu, ai vuri në fokus Ligjin për produkte dhe pajisje medicinale dhe Ligjin për shëndetësi, duke nënvizuar se çdo përmirësim duhet të jetë i prekshëm në praktikë, të lehtësojë proceset, të rrisë sigurinë dhe qasjen e pacientit në terapi, dhe të jetë i orientuar kah nevojat reale të pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë.
Oda e Farmacistëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me ekspertizë profesionale dhe qasje të përgjegjshme, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet relevante, për ngritjen e standardeve dhe përmirësimin e shërbimeve farmaceutike në Republikën e Kosovës.